Neni 1
Objekti dhe qëllimi i ligjit
1. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave në lidhje me:
a) tatimin mbi të ardhurat e personave fizikë dhe entiteteve;
b) tatimin mbi të ardhurat nga trashëgimitë, dhurimet dhe fitimet nga lojërat e fatit.
2. Qëllimi i këtij ligj është hartimi i një kuadri ligjor mbi përcaktimin e rregullave për vendosjen, deklarimin dhe mbledhjen e tatimit mbi të ardhurat personale, tatimit mbi të ardhurat e korporatave, si dhe të tatimit të mbajtur në burim të të ardhurave.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Personat rezidentë në Republikën e Shqipërisë janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi të ardhurat e korporatës për të ardhurat e tatueshme nga të gjitha burimet, të realizuara brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në një vit tatimor të caktuar.
2. Përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga ky ligj, personat jorezidentë janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat në këto raste:
a) për totalin e të ardhurave të tyre të tatueshme në mbarë botën, që i atribuohen një selie të përhershme në Republikën e Shqipërisë; dhe
b) në masën që nuk përfshihen në shkronjën “a”, të ardhurat e tyre të tatueshme nga të gjitha burimet, që kanë një burim në Republikën e Shqipërisë, sipas nenit 4 të këtij ligji, në një vit të caktuar tatimor.
Neni 3
Përkufizime
Për qëllime të këtij ligji, termat e mëposhtëm nënkuptojnë:
1. “Person” është çdo person fizik dhe entitet.
2. “Person fizik” është çdo:
a) individ i vetëpunësuar;